Mustafa i përgjigjet letrës së Thaçit: Shpejt do ta krijojmë shumicën parlamentare dhe propozojmë kandidatin për Kryeministër
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Isa Mustafa ka pranuar letër nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për çështjen e mandatarit.
Kështu bën të ditur LDK përmes një komunikate për medie, ku thuhet se Mustafa i është përgjigjur kësaj letre, duke e njoftuar Thaçin me angazhimet e tyre.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, sot ka pranuar letrën e dytë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, lidhur me pëpjekjet për formimin e shumicës parlamentare dhe krijimin e qeverisë së re”, thuhet në komunikatë.
Në këtë komunikatë bëhet e ditur se Mustafa, i ka thënë Thaçi se në një të ardhme shumë të afërtë do të propozojnë edhe kandidatin për kryeministër.
“Kryetari i LDK-së, Dr. Isa Mustafa, ia ka kthyer letrën duke e njoftuar për angazhimet dhe takimet intenzive të LDK-së, për të krijuar shumicën parlamentare, si dhe ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për Kryeministër të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.